Ballina Flash

EURO2024 vjen me dy “Fan Zone”, Veliaj: Tirana, epiqendra e mbështetjes për Kombëtaren

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Në prag të EURO2024, që nis sot me ndeshjen Gjermani-Skoci, Tirana është gati për të festuar dhe mbështetur kombëtaren shqiptare të futbollit.

Këtë herë në kryeqytet janë ngritur dy “Fan Zone”, njëra në sheshin “Skënderbej” dhe tjetra te stadiumi “Selman Stërmasi”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj i vizitoi të dyja këto hapësira sportive kushtuar tifozëve, dhe ftoi gjithë qytetarët e Tiranës të vijnë të festojnë së bashku.

Ai theksoi se në sheshin “Skënderbej” është krijuar koncepti i një fushe sportive, në mënyrë që të gjithë të ndihen sikur janë në stadium.

“Kjo është hapësira më e madhe sportive sot në Tiranë. Atmosfera më e afërt me atë që po ndodh në Gjermani me Kombëtaren tonë. Në ‘Fan Zone’ ka nga diçka për të gjithë, edhe për ata që duan të shohin ndeshjen, të cilëve u kemi rezervuar pjesën qendrore. Kemi imituar një fushë futbolli, sepse praktikisht të gjithë mund të ndihen sikur kanë zbritur në fushë për të qenë lojtari i 12-të dhe për të çuar energji pozitive nga Tirana”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se gjatë muajit që do të zhvillohet Kampionati Europian, në sheshin “Skënderbej” është planifikuar të ketë aktivitete për të gjitha moshat.

“Në orët kur nuk ka ndeshje, “Fan Zone” do të jetë një arenë feste për të mbështetur kombëtaren tonë. “Duam t’ia kalojmë mirë, do të kemi edhe DJ, edhe koncerte. Tirana do të jetë e gjitha në festë për të mbështetur Kombëtaren, për të kaluar mirë dhe për ta shijuar këtë eksperiencë, që nuk ndodh çdo vit. Është konceptuar si një mjedis familjar, ka diçka edhe për për prindërit, edhe për fëmijët. Të gjithë janë të mirëpritur”, deklaroi kryebashkiaku.

Një hapësirë e veçantë u është kushtuar edhe të huajve që vizitojnë vendin tonë gjatë muajve të verës, të cilët duan të mbështesin kombëtaret e tyre gjatë EURO2024.

Veliaj tha se pjesë e “Fan Zone” në sheshin “Skënderbej” do të bëhen edhe ambasadat mike të vendit tonë, që kanë komunitetin e tyre në Shqipëri.

Kur u ndal te stadiumi “Selman Stërmasi”, Veliaj tha se këtu qytetarët do t’i shijojnë ndeshjet dhe koncertet në një stadium të vërtetë.

“Ky stadium do të kthehet në një arenë të vërtetë, ku do të luajë lojtari i 12 i Kombëtares”, tha ai.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMosdeklarim i të hollave në kufi, kapet një person me 20 750 euro në Kakavijë
Artikulli tjetërFOKUS – IA zbulon edhe nëse macet kanë… dhimbje?!