Ballina Flash

Osmani: Luftëtarët e UÇK-së dhe ushtarët e NATO-s, dhimbjen na e kthyen në shpresë

PRISHTINË, 12 qershor/ATSH/- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se 12 qershori është një nga ditët më domethënëse për shtetësinë e Kosovës.

Në ceremoninë e parakalimit të ushtarëve të FSK-së dhe policisë së Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, Osmani tha se UÇK-ja ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës.

“Në këtë luftë, UÇK-ja ishte shtylla jonë më e rëndësishme e shpresës. Lufta e tyre nuk ishte vetëm për token, por për vet shpirtin e Kosovës. Guximi i UÇK është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Ne u detyrohemi atyre me një mirënjohje”, tha presidentja e Kosovës.

Ajo përmendi edhe komandantin legjendar, Adem Jashari dhe familjen Jashari, duke shtuar se Kosova u mbështet edhe nga aleatët ndërkombëtarë.

“Më 12 qershor luftëtarët e UÇK dhe ushtarët e NATO-s, dhimbjen dhe lotët na i kthyen në shpresë. Sot festojmë edhe lidhjet e miqësisë. 25 vjet më pas po ndërtojmë arkitekturën e sigurisë kombëtare dhe po e bëjmë këtë që të zëmë vendin në aleancën e NATO-s”, shtoi ajo.

Në ceremoninë shtetërore për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës do të parakalojnë 16 kuadrate të FSK-së, shtatë të Policisë së Kosovës, ku janë mbi 1500 pjesëtarë. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti: Liria e Kosovës erdhi përmes gjakut të dëshmorëve
Artikulli tjetërBegaj takon Walker: Dëshmia juaj e gjenocidit shënoi kthesën në Kosovë