Ballina Flash

Bill Clinton: Mirënjohës për 25 vjet paqe në Kosovë

PRISHTINË, 12 qershor /ATSH/ Kosova shënon sot, 12 qershor 2024, 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, shkroi në rrjetin social X se ndihet mirënjohës për 25 vjet paqe në Kosovë.

Bill Clinton është nderuar në Kosovë për kontributin e tij në çlirimin dhe pastaj pavarësimin e vendit nëntë vjet më pas. Në Prishtinë, në sheshin e emëruar për nder të Clintonit ndodhet edhe një shtatore e tij, ndërsa aty afër është hapur edhe një dyqan rrobash i emëruar Hillary, për nder të Zonjës së Parë të atëhershme të SHBA-së, Hillary Clinton.

Clinton luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës më 1999, pasi punoi me aleatët e tjerë të NATO-s për ndërmarrë veprime ushtarake në mbrojtje të popullit të Kosovës.

“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”, tha Clinton 25 vjet më parë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e uroi popullin e Kosovës për Ditën e Çlirimit dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah popullit kosovar.

“Tani, 25 vjet më vonë, ne jemi krenarë për gjithçka që kemi arritur. Ju e keni ndërtuar shtetin tuaj sovran, demokratik dhe shumetnike nga themeli. Ajo që e keni arritur ju, është e jashtëzakonshme”, tha Hovenier.

Ai theksoi në një videomesazh të publikuar në rrjetin social X se Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partneri i Kosovës në ditën kur ajo e shënon njërin prej momenteve më të rëndësishme në historinë e vet.

“Dua të theksoj se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë. Ne qëndrojmë pranë popullit të Kosovës kundër autoritarizmit; kundër përpjekje për ta shtypur apo ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare; kundër shkatërrimit me dhunë të jetës dhe jetesës së njerëzve kundër vullnetit të tyre. Ne qëndrojmë me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës”, shtoi ai. /REL/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: Nga sot kalimi pa kontrolle në kufirin Shqipëri-Kosovë
Artikulli tjetër“Teritori i Pastër”, Balla përgëzon policinë: U asgjësuan 7 600 bimë kanabisi