Ballina Flash

Majko e Bushka kërkesë Veliajt: Një rrugë e kryeqytetit të mbajë emrin “William G. Walker”

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Dy deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Pandeli Majko dhe Klotilda Bushka kanë kërkuar emërtimin e një prej rrugëve të kryeqytetit si rruga “William G. Walker”.

Walker është personalitet ndërkombëtar, diplomat, mik prej vitsh i kombit shqiptar dhe i të gjithë bashkëkombasve kosovarë, i cili me angazhimin dhe kontributin e tij, ka mbështetur çështjet dhe kauzat e popullit shqiptar në konsolidimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, promovimin e të drejtave të shqiptarëve në nivel ndërkombëtar si dhe bashkëpunon ngushtë me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo vetëm.

Duke marrë në konsideratë rolin e tij, deputetët e PS i kërkuan kreut të bashkisë të vlerësojnë kontributin dhe figurën e ambasadorit dhe të nderojë misionin e tij ndaj shqiptarëve duke emërtuar një nga rrugët në kryeqytet si rruga “William G. Walker”.

“E vërteta e fakteve dëshmon se ambasadori Walker, shef i Misionit Monitorues të OSBE-së në Kosovë me veprimet dhe angazhimet e tij, ka shkruar historinë e Kosovës, ka qenë dëshmitar i masakrës së Reçakut, ka denoncuar gjenocidin e regjimit të Miloshevicit në Kosovë, duke përfaqësuar në ato kohë të vështira dhe sot me aleatin më të mirë për të drejtën dhe kauzën kosovare në arenën ndërkombëtare”, thuhet në kërkesën e dy deputetëve, drejtuar kreut të bashkisë së Tiranës.

Emërtimi i një prej rrugëve me emrin e ambasadorit do të simbolizonte një dedikim në vlerësim të figurës që la gjurmë në historinë e popullit tonë, si ruajtës dhe mbrojtës i paqes, jetës, lirisë dhe prosperitetit të kombit tonë.

Presidenti Bajram Begaj, pak kohë më parë dekoroi ambasadorin amerikan me medaljen “Kalorës i Urdhrit të Flamurit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRienergjizimi i PS-së, Rama: U shtuan 32 mijë anëtarë të rinj
Artikulli tjetërRama: Në shtator takimet me shqiptarët në Londër e Dyseldorf, përgatitje edhe për në SHBA