TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se Partia Demokratike në 2025-ën kërkon të sjellë një ndryshim real, jo thjesht rotacion.
Gjatë një interviste televizive, duke komentuar punën e SPAK, kreu i PD tha se ky institucion ndodhet në syrin e ciklonit dhe meriton mbështetje, duke iu referuar nismave të PD për t’i ardhur në ndihmë prokurorisë speciale përmes amendamenteve të prezantuara në parlament.
“Në 2025-ën synimi jonë është jo thjesht rotacioni, por ndryshimi politik për vendin. Një qeveri e re, me një plan të qartë, ekonomik në rradhë të parë dhe për të trajtuar problemet që shqiptarët sot i shqetësojnë më shumë. Siç e thash familjet shqiptare, e ardhmja e rinisë shqiptare, shkollimi me qëllim punësimin e rinisë shqiptare me rroga dinjitoze në vendin e tyre, si kura e vetme për t’i dhënë fund shpopullimit dhe largimit të të rinjve. Pra, një program esencialisht i bazuar në nevojat e shqiptarëve”, tha Basha.
Basha tha se partitë politike duhet të qëndrojnë larg drejtësisë dhe të japin mbështetje të plotë për sistemin gjyqësor.
Ai tha gjithashtu se amendamentet e PD për SPAK nuk janë marrë parasysh në Kuvend, pasi sipas tij, ka një vullnet të mbrapsht për të frenuar punën e këtij institucioni.
“SPAK është në syrin e ciklonit edhe për faktin se ka filluar të punojë dhe të japë rezultat dhe për këtë meriton mbështetje. Sigurisht nuk ka kartabianka për askënd, pritshmëritë janë të larta dhe kjo ndonjëherë kthehet në një kurth. Sepse arritje të mira por jo në lartësinë e pritshmërive mund të jenë të pamjaftueshme për të frenuar zhgënjimin popullor.
SPAK është akoma në gjykimin e qytetarëve. Gëzon mbështetjen e tyre dhe duhet të gëzojë mbështetjen e tyre. Për ne si PD e rëndësishme është që SPAK t’i jepet mbështetje totale politike. Politika duhet të qëndrojë larg drejtësisë”, u shpreh Basha.
Ai theksoi se, legjislativi ka për detyrë që ta mbështesë SPAK, GJKKO dhe BKH me gjithçka që kërkohet.
“Kjo është arsyeja që kemi çuan në Parlament propozimet tona. Por duket se nuk ka vullnet për të ndihmuar SPAK, por ka një vullnet të mbrapsht për ta frenduar SPAK. Kjo do të ishte me pasoja për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, tha Basha.
Gjatë intervistës së tij, Basha u shpreh se me ish-kryeministrin Sali Berisha nuk ka asnjë komunikim që prej shtatorit të vitit 2021, përveçse ndonjë mesazhë në raste të fatkeqësive familjare.
“Koha ka treguar se nëse Berisha do të ndiqte këshillat e mia, do të ishte më mirë për vendin dhe për vetë ish-kryeministrin. Është këshilluar keq dhe e vetmja gjë që mund të them sot është që në këtë pozitë ku është nuk ka çfarë të jap më as për Partinë Demokratike, as për vendin. Në 9 shtator të 2021 kam komunikuar për herë të fundit me të” tha Basha.
Basha, foli edhe për qeverisjen 13 vjeçare nga kryeministr Ramës ku tha se një nga sukseset që ka është eksporti masiv i shqiptarëve jashtë vendit.
Kreu i PD tha se nuk mund të jetë një kryeministër i pastër kur një pjesë të qeverisë e ka në burg dhe një pjesë e ka në arrati. Sipas tij, vendi është në një gjendje të rëndë ekonomike, sociale, politike.























