NJU JORK, 7 qershor /ATSH-DPA/- Danimarka, Greqia, Pakistani, Panamaja dhe Somalia do të jenë anëtarët e ardhshëm jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për dy vjet duke filluar nga viti 2025.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara zgjodhi dje pesë anëtarët e rinj.
Pesë vendet do të zëvendësojnë Ekuadorin, Japoninë, Maltën, Mozambikun dhe Zvicrën.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së është i vetmi organ i OKB-së që ka fuqinë për të miratuar rezoluta detyruese sipas ligjit ndërkombëtar.
SHBA-ja, Kina, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca janë pesë anëtarët e përhershëm të këshillit, të cilët kanë fuqinë për të vënë veton ndaj çdo mase.
Dhjetë anëtarët jo të përhershëm të këshillit, secili i zgjedhur për dy vjet, kanë shumë më pak ndikim.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së zgjodhi dje ish-kryeministrin e Kamerunit, Philemon Yang, si presidentin e ardhshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se Yang ishte një “afrikan krenar i përkushtuar për të ardhmen e kontinentit të tij” me një përvojë të pasur.
“Mezi pres të punoj ngushtë me të, ndërsa ai bashkon vendet anëtare për zgjidhjet bashkëpunuese që mund të japin drejtësi në Afrikë dhe botën në zhvillim”, tha Guterres.//a.i./























