TIRANË, 31 maj/ATSH/ Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka vizituar në Spitalin e Traumës këtë të premte avokatin Sokol Mëngjesi, i cili u dhuna nga tre persona dy ditë më parë në zonën e ish-Bllokut, teksa një i katërt i priste me veturë dhunuesit.
Bashkë me drejtuesin e Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ishte dhe zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Alekt Shatro.
Pak orë pas ngjarjes së rëndë, Policia e Tiranës njoftoi zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e organizatorit të dhunës, Dritan Nano, teksa njëri prej dhunuesve Dorian Alia, u vetëdorëzua. Avokat Mëngjesi u dhunua për shkak të detyrës. Studio ligjore e Mëngjesit kishte fituar një çështje gjyqësore pronësie. Një prej familjeve përfituese kishte konflikt me avokatin për shkak se nuk kishte realizuar pagesën, e për rrjedhojë Mëngjesi po përgatiste padi ndaj kësaj familje. Për të mënjanuar padinë, Dritan Nano organizoi sulmin e dhunshëm ndaj avokatit.
/a.f/r.e/























