Ballina Flash

Teatri i Operas dhe drejtoresha Voshtina nderohen me çmimin “Puçinian”

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Paolo Spadaccini, president i bordit të “Festival Puccini di Torre del Lago”, vlerësoi Teatrin e Operës dhe Baletit shqiptar dhe nderoi drejtoreshën e përgjithshme të TKOBAP-së, Abigeila Voshtina, si ambasadore e artit puçinian në botë, në 100-vjetorin e vdekjes së gjeniut të Torre del Lago.

Spadaccini dorëzoi çmimin më prestigjioz të “Festival Puccini”, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy teatrove për përhapjen jo vetëm të emrit të kompozitorit të madh italian Puccini, por edhe të produksioneve të “Festival Puccini di Torre del Lago”, që janë vënë në skenën e TKOB-së.

Ky vlerësim vjen në një moment të rëndësishëm për TKOBAP, që përkon me 70-vjetorin e themelimit të institucionit emblemë të artit shqiptar.

Kjo është hera e parë që teatri ynë vlerësohet nga një teatër tjetër i huaj me çmimin unik “Puccini”, që jepet një herë në vit. Vlerësimi i TKOB-së përkon gjithashtu me 70-vjetorin e krijimit të “Festival Puccini”.

Ceremonia e dorëzimit të çmimit u zhvillua në skenën e TKOB-së, pak përpara shfaqjes së operës “Madama Butterfly”, produksion i realizuar pikërisht nga “Festival Puccini” në Torre del Lago.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHapja e ambasadës së Shqipërisë në Ukrainë, prezantohet kandidati për ambasador
Artikulli tjetërPOLONI – Tomczyk: Kievi mund të përdorë armët tona për të goditur Rusinë