TIRANË, 29 maj/ATSH/ Zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Floriana Garo reagoi sot lidhur me sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, të cilin e konsideroi akt kriminal.
“Sot në mëngjes, tre banditë, të urdhëruar nga Edi Rama, kanë sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha”, tha Garo.
Sipas saj, “ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të PD-së është një proces kryekëput politik i bazuar në një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani”.
Në emër të Partisë Demokratike, Garo dënoi me ashpërsinë më të madhe këtë akt banditesk kriminal ndaj profesor Sokol Mëngjesit. “Edi Rama, ai dhe vetëm ai, personalisht do mbahet përgjegjës për këtë akt të shëmtuar kriminal”, theksoi ajo.
/m.m/r.e/






















