LONDËR, 23 maj /ATSH-DPA/ – ”Basti i madh” është përcaktimi i përsëritur i medias britanike mbi njoftimin e bërë dje nga kryeministri konservator Rishi Sunak, i cili shpalli zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar për 4 korrik, edhe pse kjo nuk ndodhi në një moment të përshtatshëm për kryeministrin, i cili u lag nga shiu teksa i fliste kombit përballë nr. 10 Downing Street.
Fotoja e tij dominoi sot në faqet e para të gazetave.
”Daily Telegraph”, pro konservatore, në një editorial të titulluar “Gjërat vetëm mund të lagen” bënte një lojë fjalësh me sloganin e laburistëve “Gjërat mund të bëhen vetëm më mirë”), i cili dje dëgjohej nga një altoparlant i vendosur nga disa protestues përpara dyerve të rezidencës së kryeministrit, ndërsa Sunak mbante fjalimin e tij duke u përballur me motin e keq.
Autori i artikullit, Gordon Rayner, është i bindur se mesazhi i kryeministrit ka “arritur me zë të lartë dhe të qartë. Gjërat në fakt janë përmirësuar nën udhëheqjen e tij” dhe nëse lideri laburist Keir Starmer bëhet kryeministër “ato vetëm mund të përkeqësohen”.
Megjithatë, ”The Times”, duke u fokusuar gjithmonë në imazhin e një Sunaku të lagur, nënvizon se si kryeministri po përpiqet të pozicionohet në një garë elektorale, ku laburistët mund të llogarisin një avantazh të madh në të gjitha sondazhet.
Ideja e bastit përsëritet edhe në shkrimet e gazetës progresive ”Guardian”.
Ndërsa tabloidet si ”Daily Mail” dhe ”Sun” fokusohen në faktin se mbretëria do të shkojë në zgjedhje pikërisht në mes të kampionatit evropian të futbollit në Gjermani, një ditë para çerekfinales së parë dhe vëmendja e shumë votuesve do të të përqendrohet në faktin nëse Anglia ose Skocia përparojnë në turne./ /os/






















