Ballina Aktualitet

Ngjarja në Shkodër, Balla: Akt për të frikësuar gjyqtarin

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një prononcim për mediet pas përfundimit të mbledhjes në KLGJ, dënoi sot aktin ndaj gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj, të cilin e cilësoi “përpjekje për ta intimiduar në punën e tij”.

Ministri informoi se është ofruar mbrojtje e menjëhershme për magjistratin, të cilit i ka shprehur solidaritetin.

Po ashtu, Balla theksoi se të ofrohet mbrojtje personale edhe për familjen e magjistratit.

Lidhur me hetimin, Balla tha se “shpresoj që në orët dhe ditët në vijim të kemi rezultate konkrete në zbardhjen e ngjarjes, sepse na duhet shumë të japim një mesazh ndaj gjithkujt, që mundohet të intimidojë me forma të ndryshme sistemin gjyqësor në këtë vend”.

“I bëj thirrje kujtdo që të heq dorë nga çdo forme intimidimi ndaj sistemit gjyqësor! Po ashtu i bashkëngjitem deklaratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor, se na duhet më shumë mbështetje ndaj magjistratëve, të cilët duhet ta kryejnë detyrën e tyre të pandikuar. Dhe besoj që duhet të bëjmë më shumë për të garantuar më shumë siguri dhe më shumë mbështetje ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai.

Ministri theksoi se “Reforma në Drejtësi po jep rezultate e veta dhe gjyqtarët dhe prokurorët në detyrën e tyre kanë prishur qetësinë e personave të cilët janë objekt i hetimeve apo i vendimeve”.

“Kur bëra thirrje për të hequr dorë nga intimidimet ndaj magjistratëve këtë thirrje e kisha ndaj gjithkujt. Intimidimet mund të bëhen me lëndë eksplozive, por mund të bëhen edhe me fjalë edhe me deklarata. Nga Pallati i Drejtësisë kam ardhur të shpreh mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare ndaj institucioneve të drejtësisë për ta bërë punën. Po ashtu i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të merren të gjitha masat për të garantuar sigurinë e paprekshme të çdo magjistrati”, tha ai.

Balla theksoi se “janë një seri ngjarjesh të ndodhura në Shkodër, të cilat janë në proces zbardhjeje”.

Po ashtu, ai tha se të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave për përmirësimin e mbrojtjes që u ofrohet magjistratëve, në mënyrë të veçantë atyre të SPAK dhe Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, janë bërë fakt dhe janë tashmë në zbatim.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Stoltenberg: Rusia duhet të kuptojë se nuk mund të fitojë
Artikulli tjetërDelegacioni i BE dënon sulmin ndaj gjyqtarit Sterkaj: Siguria nga kërcënimet, thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit