TIRANË, 27 prill /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi se finalizoi operacionin e koduar “Ndikimi”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisië Kriminale, në drejtimin e SPAK-ut.
Sipas Policisë, operacioni zbatoi urdhrat e datës 26 prill të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasve, D. S., 46 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”; A. O., 62 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”; A. H., 47 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”; Y. B., 47 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Detyrim paraqitjeje”, për veprën penale “Prodhimi i armëve luftarake”.
Shtetasit e mësipërm dyshohen se kanë kryer në bashkëpunim veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka regjistruar për këta shtetas procedimin penal të vitit 2020 për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Për personat nën hetim D. S., zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe A. O., kryeplak i Lagjes së Re, Sauk, Tiranë, ka dyshime të bazuara në prova, se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim,, pasi këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.
Gjithashtu me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve që kanë rezultuar nga përgjimet e bisedave telefonike, administruar në fashikullin e procedimit penal.
Për personat nën hetim A. H., me detyrë në kohën e kryerjes së veprimeve, jurist i Aluiznit, Tirana Jug dhe më pas ASHK, Tirana Jug dhe shtetasi Y. B., në rolin e sekserit, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.
Vijon kryerja e veprimeve hetimore, në kuadër të procedimit penal nr.100, të vitit 2020, për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të personave nën hetim, të sipërcituar dhe personave të tjerë, që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.























