Ballina Aktualitet

Ibrahimaj për konfliktin e bashkëshortit: Gjykata pushoi hetimin për mungesë provash

TIRANË, 26 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj reagoi pas publikimit në media të lajmit se bashkëshorti i saj ishte përfshirë në një konflikt fizik me drejtuesin e një institucioni nën varësi të Ministrisë së Financave, në periudhën që kjo ministri drejtohej nga zonja Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj në rrjetet sociale thekson se, ngjarja ka ndodhur 5 muaj më parë, ndërsa konflikti është sqaruar nga organet e drejtësisë, të cilat zgjodhën ta pushonin gjykimin e kallëzimit për mungesë provash.

“Jam e keqardhur që 5 muaj pas një konflikti të padëshiruar, i cili ka kaluar në rrugën e drejtësisë dhe ka marrë përgjigje po në atë rrugë, sot më duhet të jap shpjegimin tim. Nuk kam asnjë arsye të fajësoj askënd lidhur me publikimin e këtij fakti, por kam detyrimin të sqaroj elemente që e bëjnë të plotë vërtetësinë e tablosë së ngjarjes”, shkruan Ibrahimaj.

“Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash. I vetmi ndikim i imi në këtë proces ka qenë se nuk e kam lejuar bashkëshortin të bëjë kallëzim, pikërisht sepse personi në fjalë ka qenë drejtues i një institucioni varësie kur kam marrë detyrën si Ministre e Financave dhe s’kam dashur në asnjë mënyre që familja ime të marrë iniciativën”, vijon Ibrahimaj.

“Një element tjetër lehtësisht i provueshëm është se pavarësisht dinamikës së ngjarjes dhe faktit që bashkëshorti im ka qenë padrejtësisht i kallëzuar për diçka që nuk e ka bërë, ashtu si konfirmohet nga vendimi i organeve të akuzës, pala kallëzuese ka vijuar të qëndrojë në vendin e punës edhe pas largimit tim nga funksioni i Ministres së Financave dhe Ekonomisë 7 muaj më parë”, shprehet Ibrahimaj.

“Nuk besoj se është e nevojshme në këtë pikë, por po sqaroj sidoqoftë se nuk kam pasur asnjë konflikt me kallëzuesin gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në atë detyrë, siç nuk kam pasur asnjë konflikt me asnjë person në varësinë time. Ky fakt besoj e thotë vetë të vërtetën që konflikti në fjalë, nuk ka pasur asnjë lidhje me mua apo detyrën time”, vijon Ibrahimaj.

“Pa dyshim do të kishte qenë me e mira që të mos kishte ndodhur, por nganjëherë zhvillimet e padëshiruara në marrëdhëniet me të tjerët na zgjedhin, nuk i zgjedhim. Por e përsëris që kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me institucionet shtetërore, me funksionet e institucionit që kam drejtuar dhe me mua personalisht. Ndërkohe e mirëkuptoj me keqardhje faktin se pikërisht për shkak të detyrës dhe angazhimit tim publik, një ngjarje e 5 muajve të shkuar bën sot lajm për arsye qe nuk janë në tagrin tim institucional t’i komentoj. Ndjesë kujtdo që mund të jetë shqetësuar nga ky lajm, por kushdo të jetë i bindur se s’ka asnjë të vërtetë tjetër nga sa rendita më lart”, përfundon reagimi ministres Ibrahimaj.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Lituania i bashkohet thirrjes për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen
Artikulli tjetërBashkëpunimin ndërkufitar për mbrojtjen e shëndetit të bimëve