Ballina Bota

PEKIN – Kina: Akuzat për spiunazh në Gjermani thjesht shpifje

PEKIN, 23 prill /ATSH-DPA/- Kina ka hedhur poshtë akuzat për kryerjen e operacioneve të spiunazhit në Gjermani, duke i përshkruar pretendimet si “shpifje”.

“Qëllimi që qëndron pas kësaj zhurme është mjaft i qartë, për të shpifur dhe shtypur Kinën dhe për të minuar atmosferën e bashkëpunimit midis Kinës dhe Evropës”, tha sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Pekin.

“Kina ka respektuar gjithmonë parimet e respektit të ndërsjellë dhe të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera”, tha zëdhënësi.

“Mentaliteti i Luftës së Ftohtë” të Gjermanisë duhet të kapërcehet”, tha ai, duke shtuar se theksimi i të ashtuquajturave rreziqe spiunazhi nuk duhet të keqpërdoret për operacione politike kundër Kinës.

Deklaratat pasojnë arrestimin e një ndihmësi të ligjvënësit gjerman të Parlamentit Evropian, Maximilian Krah, i dyshuar për spiunazh në favor te Kinës.

Personi i identifikuar është Jian G, 43 vjeç, i quajtur nga media gjermane si ndihmës i deputetit të AfD-së dhe kandidatit për zgjedhjet evropiane, Maximilian Krah.

Prokurorët thanë se ai u arrestua në qytetin lindor të Dresdenit. Ata pretendojnë se ai i ka dërguar informacione rreth Parlamentit Evropian shërbimeve sekrete kineze.

Jian G dyshohet gjithashtu se ka spiunuar figurat e opozitës kineze në Gjermani.

Gjithashtu, tre shtetas te tjere gjermane të dyshuar për spiunazh u arrestuan dje në Gjermani.

Ambasada kineze në Berlin i bëri thirrje Gjermanisë që të ndalojë shfrytëzimin e akuzave për spiunazh për të manipuluar politikisht imazhin e Kinës dhe për të shpifur kundër saj”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve kineze Xinhua dje në mbrëmje. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMF: 37.6 miliardë lekë nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore
Artikulli tjetërFavorizoi shoferin pas aksidentit, pezullohet oficeri i Policisë në Lezhë