Ballina Flash

Kryesuesi i OSBE-së Ian Borg kërkon progres në dialogun Kosovë-Serbi

PRISHTINË, 11 prill /ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë të Maltës, njëherësh kryesues i OSBE-së, Ian Borg ka kërkuar progres në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, teksa për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës tha se për këtë ekzistojnë rregulla të caktuara.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë sot ai nënvizoi nevojën e zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

I pyetur nga gazetarët nëse Serbia po e shkel Marrëveshjen e Brukselit me kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Borg ka refuzuar të komentojë duke thënë se nuk mund të gjykojë, por tha se KiE ka rregullat e veta dhe së shpejti do të merret një vendim. “Nuk ka shumë kohë për të pritur. Është afër dhe së shpejti do të dimë se si vendos Këshilli i Evropës”, tha ai.

Borg foli edhe procesin zgjedhor për shkarkimin e kryetarëve në veri, ku tha se procesi duhet të jetë i paanshëm dhe i drejtë dhe pastaj duhet të avokohet për pjesëmarrje të komunitetit serb. Gjatë ditës, kryesuesi i OSBE-së u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProtestuesit e dhunshëm për pak u morën jetën policëve me molotov, Veliaj: Skenat e ’97-ës nuk kanë vend në Tiranën e 2024-ës
Artikulli tjetërKINEMA – Filmat pjesëmarrës në Festivalin e Kanës