Ballina Flash

SHBA: Na vjen keq që Lista Serbe do të bojkotojë shkarkimin e kryetarëve në veri

PRISHTINË, 8 prill /ATSH/ Lista Serbe të dielën njoftoi se nuk do të marrin pjesë në votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore të Kosovës.

Lidhur me këtë, Ambasada amerikane në Kosovë në një përgjigje për rtv21.tv ka thënë se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të larguar zyrtarët e zgjedhur në përputhje me ligjin në Kosovë, nëse ata vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për largimin e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Kosovë.

Ambasada amerikane tha se vlerëson përpjekjet për të lejuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votimin e 21 prillit.

Ambasada shtoi se në këtë proces mundësi pjesëmarrje ka edhe komuniteti serb.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës kanë mundësi të marrin pjesë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se do tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve”, thuhet në përgjigje.

Ambasada tha se pret që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri gjatë procesit.

Tutje, në përgjigje thuhet se SHBA dhe partnerë tjerë do ta ndjekin këtë proces nga afër.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, dje në një konferencë për media tha se kjo parti është kundër votimit të 21 prillit për largimin e kryetarëve aktualë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAnëtarët e Listës Serbe dorëhiqen nga komisionet komunale zgjedhore në veri
Artikulli tjetërMoszbatimi i marrëveshjes, Lajçak: Palët nuk janë të gatshme për normalizim