Ballina Ekonomi

Energjia për furrat e bukës 7.6 lekë, Balluku: Ruajmë çmimin e produktit final

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se “nuk është rritur çmimi i energjisë për furrat e bukës, por kemi zgjidhur një problematikë të mbartur”.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Balluku tha se, “të gjitha furrat e bukës që prodhojnë vetëm bukë paguajnë një çmim të energjisë prej 7.6 lekë dhe do të vazhdojnë të paguajnë me këtë çmim 7.6 lekë. Të gjitha ato furra të bukës që prodhojnë edhe pastiçeri do të paguajnë 9.5 lekë dhe ato furra buke që janë transformuar në bar dhe kafe do të paguajnë çmim të energjisë me 12 lekë”.

“Ka tre kategori të furrave të bukës dhe çmimi i energjisë për furrat e bukës që prodhojnë ekskluzivisht bukë mbetet 7.6 lekë i pandryshuar, ndaj opozita të informojë saktë popullin.  Këtë nismë e kemi bërë përmes një dialogu transparent dhe shumë të gjerë me shoqatën dhe grupet e interesit dhe i gjithë ky aksion është ndërmarrë së bashku me ta dhe na e kanë kërkuar vetë ata, për ta ndryshuar, pasi është një konkurrencë e pandershme në këtë sektor që të paguajnë çmim të njëjtë kur ushtrojnë aktivitete të ndryshme”, tha Balluku.

“Këtë ulje të çmimit e kemi bërë që të ruajmë çmimin e produktit final, pasi energjia është pjesë e kostos së këtij produkti”, tha Balluku.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – 274 vjet më parë u lind kompozitori i jashtëzakonshëm Johann Sebastian Bach
Artikulli tjetërBRUKSEL – Von der Leyen: Energjia bërthamore ndihmon në reduktimin e karbonit