Ballina Flash

21 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, e caktuar me rezolutë të posaçme nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 28 nëntor të vitit 2012.

Kjo ditë u vendos për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve dhe pemëve jashtë pyjeve.

Pyjet mbulojnë një të tretën e masës tokësore të globit dhe kanë një funksion thelbësor për të mirën e gjithë njerëzimit.

Rreth 1.6 miliardë njerëz, përfshirë edhe mbi 2000 komunitete indigjene, varen tërësisht nga pyjet. Këto të fundit janë ekosistemet biologjikisht më të ndryshme në tokë dhe strehojnë mbi 80% të specieve të kafshëve, pemëve dhe insekteve.

Pyjet kanë një rol kyç në betejën e njerëzimit për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike. Ato balancojnë oksigjenin, dioksidin e karbonit dhe lagështinë e ajrit. Pyjet mbrojnë burimet e ujit që mundësojnë furnizimin me mbi 75% të ujit të pijshëm.

Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit e ka shpallur 2024 – Vitin e Pyjeve, i cili ka në fokus ndërgjegjësimin dhe informimit e publikut për mbrojtjen e mjedisit dhe pyjeve.

Ndërkohë sot Administratat e Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin po zhvillojnë aksione për mbjellje fidanësh, në të cilat nuk mungojnë dashamirë të natyrës, komuniteti dhe fëmijë të grupmoshave të ndryshme.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMete takon zv/presidentin e Bankës Europiane të Investimeve: Bashkëpunim për projekte të rëndësishme infrastrukturore
Artikulli tjetërSfidat e gazetarisë dhe konflikti në Ukrainë