Ballina Flash

Jole: Mbështetje palës franceze në procesin e ngritjes së Liceut Francez në Korçë

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Prefekti i Korçës, Nertil Jole mori pjesë në  takimin e organizuar nga Ambasadorja e Republikës së Francës, Catherine Suard dhe stafi i saj gjatë vizitës në këtë qytet.

Jole informoi se në takim u përcaktuan hapat që do të ndiqen në procesin e rihapjes së Liceut francez në Korçë, një kërkesë e Kryeministrit Rama që u mirëprit nga Presidenti Macron, në vizitën e tij historike në vendin tonë.

“Për realizimin e detyrës së ngarkuar nga Kryeministri, institucioni i Prefektit do të mbështesë ekspertin francez në fushën e arsimit që do rekrutohet nga pala franceze dhe do asistojë nga afër procesin, si edhe do të sigurojë ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qendror dhe vendor”, u shpreh prefekti Jole në një postim në rrjetet sociale.

Qëllimi, sipas tij, është të realizohet në kohë ngritja e Liceut francez që pasuron cilësinë tradicionale të arsimit dhe edukimit në qytetin e Korçës, veçanërisht të kulturës franceze, sikurse zgjeron dhe ngre në një nivel të ri frankofoninë shqiptare.

Jole falënderoi ambasadoren Suard për angazhimin serioz dhe mbështetjen e gjithanshme për këtë projekt shumë domethënës për qytetin.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama ndan pamje nga Ujëvara e Sotirës në Gramsh
Artikulli tjetërSejko: Rritja ekonomike u ushqye nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private