Ballina Flash

Zonat e mbrojtura, Bardhi: Presidenti humbi sërish mundësinë t’i shërbejë interesit publik

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi, foto: Florian Abazaj

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të PD, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj dekretimit prej Presidentit të Republikës të ligjit për zonat e mbrojtura.

Sipas Bardhit, Presidenti i Republikës humbi përsëri mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.

“Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Bardhi në reagim.

“Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”, theksoi Bardhi.

Sipas tij, që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij.

“Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues”, tha Bardhi.

“Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellë mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë”, mbylli Bardhi reagimin nisur nga dekretimi i ligjit të zonave të mbrojtura.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKnaus: Asociacioni i dëshirueshëm, por jo kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës
Artikulli tjetërBegaj dekreton ligjin “Për zonat e mbrojtura”: Nuk u identifikuan përplasje dispozitash me direktivat e BE-së