Ballina Ekonomi

Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, ISHMT: Qytetarët të njohin të drejtat e tyre

TIRANË, 15 mars/ATSH/ 15 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit e cila u shpall për ndërgjegjësimin mbi universalitetin e të drejtave të konsumatorëve, ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë, si dhe mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e tregtarëve.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut apeloi sot në këtë ditë konsumatorët të blejnë produkte duke njohur të drejtat e tyre.

ISHMT-ja garanton dhënien e  informacionit të plotë, të vërtetë dhe të saktë në gjuhën shqipe, nga tregtarët, për mallrat dhe shërbimet e vendosura, ose të parashikuara për t’u vendosur në treg.

Po ashtu, shitësit duhet të sigurojnë që mallrat të jenë të shoqëruara me etiketë, ku informacioni të jetë shënuar në gjuhën shqipe, dukshëm dhe kuptueshëm. Çdo marr që i ofrohet konsumatorit, duhet të ketë të shënuar çmimin e shitjes.

Shitësi është i detyruar ta shesë mallin të ambalazhuar ose të paketuar në mënyrë të rregullt e të sigurt.

ISHMT garanton vendosjen nga tregtarët, në njësinë e tyre të tregtimit, emërtimin tregtar, adresën, orarin për shërbimin e konsumatorit, si dhe të dhëna të tjera, që lidhen me natyrën e mallrave ose të shërbimeve që ofrojnë, respektimin e garancisë kontraktuale e cila i jepet konsumatorit në gjuhën shqipe; të drejtën e konsumatorit, në bazë të ankesës drejtuar shitësit për mallin e blerë,  për të rizotëruar mallin e sjellë në përputhje, pa pagesë, nëpërmjet riparimit apo zëvendësimit, të ketë një ulje të përpjesshme të çmimit, ose konsumatori mund të anulojë kontratën.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMOSKË – Rajoni kufitar rus goditet me raketa në ditën e parë të zgjedhjeve
Artikulli tjetërParafirmoset marrëveshja kuadër me Serbinë për sigurimet shoqërore