TIRANË 13 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mediu, në një prononcim për mediet, i vlerëson si një hap pozitiv diskutimet mes mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e një nënkomisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Sipas tij, hapat që duhen ndërmarrë duhet të jenë gjithëpërfshirëse.
“Në këtë situatë që diskutohet për të kthyer kushtetutshmërinë e parlamentit, mendoj se është hap pozitiv. Dhe komunikimi politik mes palëve i forcave opozitare me qeverisjen, për çështje të rëndësishme është i vlefshëm. Ajo që opozita duhet të veprojë të ketë një plan veprimi parlamentar. Dhe më pas në diskutimet që do të bëhen në atë nënkomision të ketë parasysh se çfarë kërkon ajo dhe si të punojë për të kthyer kushtetutshmërinë në punën e Kuvendit”, tha Mediu.
Ai tha se Reforma Zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
“Reforma Zgjedhore, ka nevojë të jetë gjithë përfshirëse, një reformë zgjedhore që garanton kushtetutshmërinë e parlamentit, ku deputetët zgjidhen nga qytetarët. Garanton mundësinë për të vazhduar dhe të ketë pluralizëm në vend dhe jo të manipulohet me pluralizmin duke hequr mundësinë për koalicione. Vota e Diasporës është rëndësishme po ashtu. Ajo që është e rëndësishme të hiqen duart nga grabitja e votave, penalizimi i atyre që bëjnë këto, jo vetëm si individ, por dhe si kandidat si dhe votimi dhe numërimi elektronik”, tha Mediu.
“Nuk kemi një komision tjetër të Reformës Zgjedhore, por një nënkomision, nukël, që trajton probleme që tejkalojnë interesin e mazhorancës. Parlamenti padyshim ka procese të miratimit të kodeve, apo edhe të diskutimeve për ndryshimet kushtetuese që kanë nevojë për mirëkuptim. Për gjykim të përbashkët. Ato që përfaqësojnë opozitën mos të mendojnë se i dinë të gjitha, është e rëndësishme që përfaqësuesit e opozitës të kenë një diskutim me të gjithë trupën opozitare si në nivel teknik, ashtu dhe në atë politik në vendimmarrjen e këtyre çështjeve. Në këtë formë do të kemi një trupë opozitare të unifikuar në qëndrim dhe veprime politike opozitare”, tha Mediu.























