Ballina Bota

VARSHAVË – Të paktën 12 arrestime në protestat e fermerëve

VARSHAVË, 6 mars /ATSH-DPA/- Të paktën 12 persona u arrestuan në kryeqytetin polak, Varshavë, ndërsa disa fermerë protestues u përpoqën të thyenin barrierat para ndërtesës së parlamentit dhe të hynin në terren, tha policia.

Transmetuesi TVN24 tregoi pamjet ndërsa demonstruesit hidhnin gurë dhe fishekzjarre ndaj policisë. Oficerët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe topa uji.

Oficerët mbyllën ndërtesën e parlamentit dhe i kërkuan turmës të shpërndahej.

Në mëngjes, disa mijëra fermerë marshuan përpara ndërtesës së qeverisë.

Traktorët dhe makineritë bujqësore nuk u lejuan në demonstratën në qendër të Varshavës. Policia ndaloi më shumë se 100 fermerë në periferi të qytetit.

Fermerët polakë kanë protestuar prej javësh kundër Marrëveshjes së Gjelbër të Bashkimit Evropian dhe kundër importit të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore nga Ukraina.

Pas pushtimit rus të Ukrainës dy vjet më parë, Brukseli pezulloi të gjitha tarifat dhe kuotat e importit për produktet bujqësore nga Ukraina për të ndihmuar ekonomikisht vendin.

Polonia ka vendosur në mënyrë të njëanshme një embargo dhe po lejon vetëm kalimin tranzit të grurit përtej kufirit. /a.i/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSokol Duma, nga sot zv.ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Artikulli tjetërRienergjizimi i PS, Rama në Lushnjë: Të garantojmë përfundimin e reformave me objektivat strategjikë Shqipëria 2030