Ballina Ekonomi

Karakaçi: Mbi 2100 biznese të lidhur në tension 20 kV, plotësisht në treg të lirë

TIRANË, 29 shkurt/ATSH/ Më shumë se 2100 biznese të lidhura me tensionin 20 kilovolt që furnizoheshin përgjatë dy viteve të fundit me çmime pjesërisht të liberalizuara, janë tashmë plotësisht në treg të lirë.

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Enea Karakaçi në një intervistë në media, thotë se çmimi i rregulluar me të cilin përballen këto subjekte, mbetet ende i favorshëm.

“Ne u kemi ofruar atyre që të vazhdojmë t’i furnizojmë përsëri si “OSHEE Group” me anë të kompanisë tonë, furnizues i tregut të lirë sh.a. Të paraqiten pranë zyrave të OSHEE, të lidhin kontratat përkatëse të energjisë dhe po ashtu, është shumë e rëndësishme që këto klientë, siç kanë bërë gjatë gjithë viteve, të vazhdojnë të kryejnë pagesat e energjisë, pavarësisht ndryshimit të furnizuesve. Nuk preken nga lëkundjet e tregut që mund të ketë në vazhdimësi”, u shpreh kreu i OSHEE-së.

Për të përballuar një pjesë të konsumit, rreth 90% e subjekteve kanë zgjedhur që të vetëprodhojnë energji përmes paneleve fotovoltaike.

“Energjinë që ata prodhojnë nga panelet e tyre fotovoltaike, ne ua njohim në konsumin e tyre mujor. U bëjmë atyre një kompensim vjetor për energjinë, duke i marrë ato muaj përkatës që kanë mbiprodhim të tyre, ua marrim në konsideratë në muajt pasardhës”, thotë ai.

Sipas kuadrit ligjor, kapaciteti i lejuar për vetëprodhuesit është 500 kilovolt, ndërkohë që interesi më i lartë mbetet nga bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt dhe ato në 20 kilovolt që janë aktualisht në treg të lirë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSarrazin në takimin me Hasanin: Shqipëria shembull në reforma dhe vend i besueshëm
Artikulli tjetërLONDËR – BM siguron hedhjen e ndihmave ushqimore në Gaza përmes parashutave