TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Policia e Tiranës dhe Lezhës, në vijim të megaoperacionit “Tempulli 2” kanë goditur dy raste të shpërndarjes së narkotikëve.
Kështu, Policia e Tiranës njofton se “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 2”, pasi kanë siguruar informacione se një shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në doza, në Unazë të Re, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Unazë të Re, kapën shtetasin B. A., 35 vjeç, banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas e siguronte lëndën narkotike në sasi dhe më pas e ndante në doza, të cilat i shiste në Unazë të Re. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan doza me lënde narkotike kanabis, gati për shitje”, bën të ditur policia e Tiranës.
Në Lezhë, u arrestua një 24-vjeçar. Ai u kap në flagrancë me doza kanabisi gati për shitjen e tyre në qytet.
“Në vijim të patrullimeve që kryhen 24/7, në të gjithë territorin e qarkut, me objektiva parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ato të Patrullës së Rendit të Policisë së Lezhës kanë ndaluar për kontrolle, automjetin me drejtues shtetasin E. Gj. dhe ku ishte pasagjer shtetasi Xh. M.. Nga kontrollet, shtetasit Xh. M. iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e gatshme për t’u ndarë në doza, me qëllim shitjen në lagje të ndryshme të qytetit, ndërsa në automjet u gjet një fenelinë si e Policisë, e cila mbahej ilegalisht nga drejtuesi i automjetit”, bën të ditur Policia.
“Në përfundim të veprimeve procedurale, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, u arrestua shtetasi Xh. M., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Gj., 25 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës””, përfundon Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/r.e/























