Ballina Aktualitet

Meta: Mbështes bashkimin e të gjitha forcave të vërteta opozitare për largimin e regjimit

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta konfirmoi sot se është për bashkimin e gjithë forcave të vërteta opozitare në një përpjekje për largimin e regjimit.

Në një konferencë për mediet, Meta u shpreh se nuk e ka parë kush e ka firmosur dokumentin.

“Më është propozuar dokumenti nga ana e PD-së, është shumë parimor dhe në përputhje me qëllimet e Partisë së Lirisë. Nuk kam parë se kush e ka firmosur dokumentin, por kam firmosur, siç do bëja për gjithçka që do kthente vendin në shinat kushtetuese dhe për të pasur një demokraci funksionale”, tha Meta.

I pyetur nëse Basha duhet të jetë pjesë e Federatës, Meta u shpreh se “nuk jam këtu për të përjashtuar askënd që ka vullnet dhe dëshirë, si edhe është i lirë për t’u vendosur përballë”.

“Çdo njeri që ka dëshirë të përballet me regjimin është i mirëpritur në tryezë. Duhet të pyesni iniciatorët e asaj tryeze, nuk kam qenë unë iniciatori, pavarësisht se jam për bashkimin e gjithë forcave të vërteta opozitare në një përpjekje për largimin e një regjimi”, u shpreh ai.

Kreu i PL-së u pyet gjatë konferencë nëse emri i tij është në tryezën e opozitës si kandidaturë për të qeverisur vendin.

“Emri im do të udhëheqë PL-në, e cila do të jetë një ndër 3 forcat kryesore politike në të ardhmen dhe faktor kryesor e katalizator për ndryshimin në vend”, u shpreh ai.

/m.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDeputeti kanadez uron në shqip pavarësinë e Kosovës
Artikulli tjetërOperacioni “Sundimi i ligjit”, Balla: Masat për të parandaluar dhunën ndaj vajzave dhe grave