TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Policia e Elbasanit arrestoi një të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Sipas policisë së Elbasanit është arrestuar 56-vjeçari Artur Llupa, i cili njihet edhe me dy emra të tjerë Robert Cani dhe Luan Tabaku.
“Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kapën dhe vunë në pranga shtetasin: Artur Llupa alias Robert Cani alias Luan Tabaku, 56 vjeç, banues në Elbasan
Llupa është i dënuar nga autoritetet në Itali, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Nga ky dënim, 56-vjeçarit i kanë mbetur për të kryer në vendin tonë, 2 vjet burgim. Autoritetet gjyqësore shqiptare kanë njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane, për dënimin e këtij shtetasi, me 4 vjet burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Sakaq, Policia e Tiranës ka goditur një rast të veprimtarisë së basteve të paligjshme, duke arrestuar tre shtetas.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ëilloë”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. A., 30 vjeç, R. J., 46 vjeç, dhe M. A., 54 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte të vëna në dispozicion për organizimin e lojërave të fatit, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme”, njofton Policia e Tiranës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.























