TIRANË, 24 janar/ATSH/ Lira Pipa është emëruar të enjten zv/Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Vendimi është marrë nga qeveria në mbledhjen e sotme.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave, vendosi: Lira Pipa emërohet zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, njofton Këshilli i Ministrave.
Lira Pipa më herët mbante pozicionin e Drejtoreshës së Kabinetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor. Pipa ka lindur në Tiranë, më 24 Qershor 1991. Gjatë viteve 2009 – 2012, kryer studimet pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës dega Administrim Biznesi. Më pas gjatë viteve 2012 – 2014, ka përfunduar me rezultate të larta studimet Master në Marketing, pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Pas studimeve, ajo është bërë pjesë e praktikës dy-mujore të ofruar nga programi i bursës “Walter Hallstein’’, në Ludwigsburg, Stuttgart.
Gjatë viteve 2016 – 2019, ajo ka dhënë kontributin e saj si specialiste pranë Drejtorisë së Komunikimit Publik, në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Nga viti 2019, Lira Pipa i është bashkuar stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në pozicionin e Drejtorit të Kabinetit, të cilën e mbante deri më sot.























