Ballina Flash

Përkujtohet masakra e Reçakut, krimi kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë

PRISHTINË, 15 janar/ATSH/ Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, një ngjarje që tronditi botën dhe ndryshoi rrjedhën e historisë për Kosovën.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë, civilë të pafajshëm. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Krerët e institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti ishin sot në Reçak, për të nderuar kujtimin e viktimave të pafajshme. Presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar drejtësi për të vrarët në këtë krim makabër ndaj civilëve.

Gjatë nderimeve që i bëri të hënën në Reçak, Albin Kurti ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, gjithashtu i pranishëm, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

Masakra në Reçak zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të Sllobodan Millosheviçit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTAJPEI – Një delegacion jozyrtar amerikan takohet me presidenten Tsai dhe presidentin e zgjedhur Lai
Artikulli tjetërIZRAEL – Gallant: Hamasi po përpiqet të përhapë luftën në Bregun Perëndimor