Ballina Flash

Hovenier: Masakra e Reçakut, veprim i qëllimshëm i Serbisë

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se, askush nuk duhet të harrojë dhe mohojë atë që ndodhi në Reçak.

Në një postim në rrjetet sociale, Hovenier shkroi se gjithashtu askush nuk duhet të mohojë e as harrojë pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët dolën në mbrojtje të Kosovës.

Hovenier ka shkuar se mban mend mirë ditën kur ka ndodhur Masakra e Reçakut. “E mbaj mend mirë atë ditë. Si oficer në Misionin e SHBA-së pranë OSBE-së, përgjegjës për Kosovën në atë kohë, mora një telefonatë nga shefi i atëhershëm i misionit verifikues të Kosovës, ambasadori William Walker menjëherë pasi u largua nga skena e tmerrit, tashmë i fokusuar në rekomandimet e tij për OSBE-në si përgjigje, folëm për vrasjen brutale të civilëve të pambrojtur”, shkruan ndër të tjera Hovenier.

Ai tha tutje se, në përgjigje të kësaj mizorie dhe të tjerash, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët tanë të NATO-s, vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit.

“Këto synime pasqyrojnë vlerat e thella amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa dallim etnie apo feje, e meritojnë dinjitetin e të jetuarit në liri dhe siguri”, shkroi ambasadori amerikan i cili ashtu si dikur presidenti Clinton, riafirmoi sot se Masakra e Reçakut ishte  një akt i qëllimshëm dhe pa dallim vrasjeje i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës.

“Mohimi i këtyre incidenteve dhe lavdërimi i krimeve të luftës çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen këtë rajon përsëri në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik. Paqja dhe drejtësia vijnë nga një njohje me sy të qartë të krimeve të së shkuarës. Kjo është jetike për të siguruar që këto krime të tmerrshme të mos ndodhin më kurrë. Por njohja e së vërtetës së së kaluarës është vetëm hapi i parë drejt drejtësisë”, u shpreh Hovenier. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Trashëgimtarja austriake u dhuron pjesë të pasurisë… të panjohurve!
Artikulli tjetërLajçak informon ambasadorët e BE-së mbi të arriturat në dialogun Kosovë-Serbi