Ballina Aktualitet

Berisha: Sot ishte një ditë beteje në parlament

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Kryetari i Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha iu drejtua sërish sot mbështetësve të mbledhur poshtë banesës së tij, ku ai qëndron në arrest shtëpie me vendim të GJKKO.

Berisha u ndal tek zhvillimet e sotme në Kuvend. “Sot ishte një ditë beteje në parlament. Një ditë beteje këtu në Rrugën e Shpresës. Opozita, e cila qe parashikuar të mos ekzistonte, të ishte thjesht një stoli e armikut më të egër të qenies së shqiptarëve, regjimit të Edi Ramës, sot është më në këmbë se kurrë”, u shpreh Berisha.

“Opozita kaloi, mbijetoi skenarë nga më antidemokratikët, më antishqiptarët, por e veshur me idealet më fisnike të popullit opozitar, ajo është sot këtu në këmbë, e gatshme për çdo betejë pa kthim, gjer në fitore”, tha ai.

Berisha ftoi demokratët dhe opozitarët të ngrihen në betejë pa kthim.

“Deputetët tuaj, deputetët e vërtetë të opozitës ia bllokuan parlamentin narkoshtetit. E shndërruan atë në një kufomë-parlament. E shndërruan atë në një turp-parlament”, tha Berisha.

“Këtu para jush dua t’u drejtoj një thirrje mbarë demokratëve dhe opozitarëve: ngrihuni në këmbë siç janë ngritur këta të rinj dhe të reja, burra dhe gra, siç janë ngritur deputetët tanë”, tha ai.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Mbi 100 milionë amerikanë nën ”kthetrat” e të ftohtit ekstrem
Artikulli tjetërLajçaku takon Bislimin: Është urgjent zbatimi i shpejtë i marrëveshjes së normalizimit