Ballina Aktualitet

25-vjetori i masakrës së Reçakut, Rama: Krim shtetëror i luftës mizore për spastrimin etnik të Kosovës

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nderoi sot viktimat e krimit shtetëror të luftës mizore për spastrimin etnik të Kosovës, në 25 -vjetorin e masakrës së Reçakut.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kryeministri Rama u shpreh se masakra e Reçakut qëndron përjetësisht si gur themeltar i kujtesës së Kosovës shtet.

“Nderim për viktimat e krimit shtetëror të luftës mizore për spastrimin etnik të Kosovës, që tronditi mbarë botën dhe qëndron përjetësisht si gur themeltar i kujtesës së Kosovës shtet”, shkruan kryeministri.

Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, një ngjarje që tronditi botën dhe ndryshoi rrjedhën e historisë për Kosovën.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë, civilë të pafajshëm. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të Sllobodan Millosheviçit.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKuvendi voton sot dekretet e ministrave, Çuçi: Ndryshimi i Rregullores krijon kushtet për sesion normal
Artikulli tjetërSHBA – Gjasa që Trump të fitojë parapraket republikane të Iowas