TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot tuneli i Murrizit dhe ai i Llogorasë do të hapen vitin e ardhshëm, ndërsa informoi se janë duke u finalizuar edhe kontratat për të filluar punën me segmentet e tjera të Korridorit Blu, vepra më madhore e infrastrukturës.
“Viti që po mbyllim ka qenë viti me intensitetin më të madh të punës në kantieret e mëdha të infrastrukturës të rrugëve kombëtare. Janë një sërë aksesh të reja, ndërkohë që janë vënë më në fund në vijë edhe punët në tunelin e Murrizit, i cili së bashku me tunelin e Llogorasë do të hapen vitin e ardhshëm. Ndërkohë që janë duke u finalizuar edhe kontratat për të filluar punën me segmentet e tjera të Korridorit Blu, që është vepra më madhore e infrastrukturës”, deklaroi Rama në konferencën tradicionale të fundvitit.
Kryeministri theksoi se është marrë përgjigje pozitive për segmentin hekurudhor Durrës-Hani i Hotit, si dhe pretet përgjigje pozitive edhe për një tjetër pjesë të segmentit hekurudhor Durrës-Pogradec, që është pjesë e Korridorit të 8, ndërsa shtoi se po zhvillohen intensivisht punimet për korridorin rrugor.












