Ballina Aktualitet

Zhvillohet Legjislatura III e Parlamentit të Nxënësve, zgjidhet kryetarja dhe nënkryetarët e rinj

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Nën kujdesin e Kryetares së Kuvedit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka nisur sot punimet në sallën e seancave plenare Legjislatura III e Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Buzhaqi.

Në këtë mbledhje të parë të legjislaturës së re ishin pjesëmarrës deputetët e rinj, si dhe një përfaqësi nga legjislatura e kaluar e Parlamentit të Nxënësve.

Në fjalën e saj, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e zgjedhjes së Parlamentit të Nxënësve si një proces që ka përfshirë mijëra nxënës, për krijimin e një strukture shumë të rëndësishme këshillimi për MAS, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve arsimore. Mbi 70 % e përbërjes së parlamentit të ri janë vajza, theksoi Manastirliu, dhe ky është një tregues i rëndësishëm, sepse përfaqëson gjithë prioritetin kombëtar për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave në proceset vendimmarrëse.

“Ky parlament ka për qëllim fuqizimin e nxënësve në proceset e arsimit, ju jeni aleati ynë më i madh në hartimin dhe orientimin e politikave arsimore”, nënvizoi Manastirliu.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cilësoi aktivitetin e sotëm si një manifestim të vlerave më të mira të shoqërisë, pasi bëhen bashkë mësues dhe nxënës të angazhuar. “Zemrat tuaja rrahin fort nga emocionet e zgjedhjes por si në çdo garë që ka një fitues, kush do që të fitojë nga katër kandidatët, jam e sigurt që do bëjë më të mirën për ta çuar përpara këtë traditë”, u shpreh Nikolla.

Ajo gjithashtu garantoi bashkëpunim të ngushtë mes Kuvedit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Nxënësve duke ju kërkuar deputetëve të rinj të kësaj strukture që punën ta fillojnë në përfaqësimin e shqetësimeve të nxënësve dhe të rinjve të komuniteteve nga vijnë, si dhe të bëjnë pjesë të aktiviteteve të tyre deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Në përfundim të fjalës së saj, Nikolla, ju foli anëtarëve të Parlamentit të Nxënësve për programet e edukimit qytetar që Kuvendi ofron, si “Punishtja e demokracisë” dhe “Këndvështrimi im”, dy programe që zbatohen me asistencën e parlamentit austriak, parlamentit zviceran dhe partnerët e NDI.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, falenderoi mësueset e pranishme për modestinë që tregojnë në ushtrimin e detyrës së tyre fisnike. Duke ju drejtuar deputetëve të rinj, ajo i këshilloi të jenë zëri i atyre që i kanë zgjedhur. “Nuk është e rëndësishme të dukeni politik të vegjël, por është e rëndësishme të jeni përfaqësues të mëdhenj të atyre që ju kanë sjellë në këtë parlament”, nënvizoi Spiropali.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Buzhaqi, ftoi të gjithë deputetët e Parlamentit të Nxënësve të bëhen pjesë e monitorimit të Strategjisë Kombetare të Rinisë vitin e ardhshëm, pasi vetëm ata vetë i dinë më mirë problemet e tyre dhe mund të orientojnë në mënyrën e duhur zgjidhjen e këtyre problemeve.

Seanca vijoi punimet me votimin për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Parlamentit të Nxënësve, ku pas numërimit të votave rezultuan fitues: Anastasia Zaimi, kryetare e Parlamentit të Nxënësve, ndërsa Geart Ferhati dhe Argisa Lleshi, nënkryetarë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakARKEOLOGJI – Zbulohen dhoma antike me mozaikë të veçantë pranë Koloseut të Romës
Artikulli tjetërSpiropali: Brenda 2024-ës përmbyllim investimet në 30 shkolla të reja