TIRANË, 6 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin “Për dhënie amnistie”, nga i cili përfitojnë rreth 600 të dënuar, kryesisht gra dhe të mitur.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se nga ky moment ky projektligj do të depozitohet në Kuvend, ku nevojitet miratimi me shumicë të cilësuar.
Manja u shpreh se “qëllimi i këtij projektligji është përjashtimi tërësisht apo pjesërisht nga dënimi i personave që përfitojnë sipas kritereve të këtij projektligji”.
“Parimet e amnistisë dihen: Parimi i humanizmit, parimi i rehabilitimit dhe edukimit të personave të dënuar, mbrojtja e interesit publik, por edhe mbrojtja e interesit të të miturve, të cilët me këtë projektligj si kategori janë përfituesit më të mëdhenj, së bashku edhe me gratë e dënuara”, u shpreh Manja.
Ministri i Drejtësisë bëri të ditur se efektet e këtij projektligji shtrihen për të gjithë personat për të cilët është marrë vendim i formës së prerë deri në datën 30 nëntor 2023.
“Nga kjo amnisti, nëse do të marrë votën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, përfitojnë rreth 600 persona të dënuar, të cilët do të kenë mundësinë t’i kalojnë festat e fundvitit pranë familjarëve të tyre. Tashmë projektligji për dhënie amnistie është në Kuvendin e Shqipërisë, do të ndjekë procedurën parlamentare sipas rregullores së Kuvendit, sepse është një projektligj që votohet me shumicë të cilësuar dhe pasi të marrë votën e deputetëve do të komunikojmë edhe me Presidentin e Republikës që të ketë një dhënie pëlqimi paraprak për hyrjen në fuqi të këtij ligji”, u shpreh Manja.
Ministri theksoi se kategoritë që përfitojnë më së shumti nga kjo amnisti janë gratë e dënuara dhe të miturit, të cilët do të kenë një mundësi që t’i kthehen proceseve të rehabilitimit dhe risocializimit pranë familjeve të tyre dhe shoqërisë.
/r.e/













