TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nxitja për arsimin profesional është jetike për shoqërinë tonë. Ndaj i them gjithë prindërve që i kanë fëmijët në fund të 9-vjeçares dhe shkollës së mesme mesazhin që, nëse fëmijët nuk kanë një prirje të fortë për të mësuar është shumë gjynah ndaj tyre që t’i mbash me zor në shkollë të mesme të përgjithshme dhe mos t’u japësh arsim profesional, mos t’u japësh një zanat.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në Shkodër, Rama tha se “nëse ne duam të bëhemi kampionë të këtij rajoni në turizëm dhe do të bëhemi kampionë të rajonit në turizëm, në 2030 ne do jemi pa diskutim një vend që do jetë ndër xhevahirët e kurorës së Mesdheut për turizëm. Por që të arrijmë këtë është jetike që të kemi jo vetëm investime shumë më tepër për turizëm të cilësisë së lartë, se na duhet të sjellim turistë që konsumojnë shumë, jo vetëm ata që vijnë me çanta në krah për t’u ngjitur në Theth. Nuk është ajo e ardhura më e madhe, e ardhura më e madhe vjen nga ata që vijnë e harxhojnë shumë”.
Sipas Kryeministrit, që ta bëjmë këtë, duhet të kemi shumë krah të kualifikuar për punë.
“Kjo është një kohë që gjithmonë e më shumë do të jetë një kohë e artë për ata që kanë zanate. Këtu ata që kanë zanate dhe marrin zanate kanë shansin jo thjesht të shpresojnë në hava, por realisht të kenë në pak vite një pagë e cila për atë lloj pune nuk bën diferencë në fund të muajit nga paga duke ik pas berihajit në Gjermani për të filluar nga e para çdo gjë”, tha Rama.
Sot, vijoi Rama, atyre që bëjnë një punë të zakonshme në Gjermani apo kudoqoftë nuk u ngelet gjë në fund të muajit, sepse shpenzimet, kosto e jetesës është rritur në mënyrë marramendëse deri tek pagesa e apartamenteve, deri në një mal me detyra që vijnë në fund të muajit si detyrime, ti jeton normal, por nuk ke asgjë mënjanë”.
“Ky është fakt, nuk është opinion i imi. Nuk është më ajo Europë që ka qenë, është shumë më e shtrenjtë e më shumë stresuese”, tha Rama.
/k.s/r.e/























