Ballina Bota

FOKUS – Moska dhe Pheniani bien dakord të zgjerojnë bashkëpunimin

MOSKË, 17 nëntor /ATSH-DPA/ – Rusia tha se Moska dhe Pheniani planifikojnë të rrisin marrëdhëniet e tyre dypalëshe për të eksploruar naftë dhe gaz në brigjet e Koresë së Veriut.

Ministri rus i Burimeve Natyrore Alexander Kozlov deklaroi se ‘’marrëveshja midis dy vendeve u arrit gjatë takimit dypalësh të komisionit qeveritar’’.

Për më tepër, të dy vendet synojnë të kërkojnë për depozita ari dhe toka të rralla.

‘’Qëllimi është të forcohen globalisht lidhjet”, tha Kozlov në sfondin e akuzave se Koreja e Veriut po furnizon armë për pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.

Sipas Kozlov, u diskutua gjithashtu zgjerimi i dërgesave të miellit rus, misrit dhe produkteve të sojës.

Sipas Kombeve të Bashkuara, furnizimet me drithëra në Korenë e Veriut, jashtëzakonisht e izoluar nga bota e jashtme, janë në nivele të pasigurta pasi mediat raportuan për një zi buke në vend.

Kozlov nuk specifikoi se çfarë do t’i dorëzojë Pheniani Moskës në këmbim të ushqimit.

Presidenti rus Vladimir Putin priti liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un për një vizitë shtetërore në shtator. Gjatë vizitës së tij pesë-ditore, Kim vizitoi shumë kompani të mbrojtjes. Asnjë vend nuk ka konfirmuar ndonjë marrëveshje të mbrojtjes.

Kremlini ka hedhur poshtë akuzat e Shtëpisë së Bardhë se ‘’Koreja e Veriut ka furnizuar me armë për luftën e Rusisë në Ukrainë’’.   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMinxhozi në takimin e BQE-së: Po përmbushim kërkesat ligjore për të hyrë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro
Artikulli tjetërBegaj në Panairin e Librit: Bibliotekë e madhe shqiptare