Ballina Aktualitet

Statuti i PD, përfaqësuesit e Bashës kërkojnë ndryshimin e gjyqtarit

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Gjykata e Tiranës u mblodh të premten për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin e ndryshimeve statutore të datës 2 shtator, duke certifikuar Lulzim Bashën kryetarë të selisë blu.

Ndryshime statutore të 2 shtatorit, morën jetë pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, duke certifikuar zgjedhjet e mbajtura nga selia blu në fund të korrikut dhe largimin e Gazment Bardhit nga pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike.

Në seancën e zhvilluar të premten, ishin përfaqësuesit ligjor të Lulzim Bashës, Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, të cilët pak momente përpara se gjyqtari të lexonte vendimin, kërkuan përjashtimin e gjyqtarit e të çështjes Niko Rapi, duke theksuar se po tregohet i anshëm në këtë proces. Kjo kërkesë, detyroi gjyqtarin ta shtyjë seancën për në datën 13 nëntor 2023.

Kërkesa e përfaqësuesve ligjor të Bashës, erdhi pasi gjyqtari Rapi më herë rrëzoi pretendimet e tyre, për dokumentacion shtesë mbi mbledhjen Këshillit Kombëtarë të Partisë Demokratike të zhvilluar online më kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi më 28 korrik, në të cilën u kërkuan mos mbajtja e zgjedhjeve për kryetarë të Partisë Demokratike. Zgjedhje në të cilat Basha u rizgjodh kryetarë i PD dhe përmes së cilave u zhvillua dhe mbledhja Këshillit Kombëtarë të PD në 2 shtator, ku u miratua dhe statuti i ri i selisë Blu dhe struktura e re drejtuese e saj.

“Ne kemi dyshime të arsyeshme se në dosje mungon dokumentacioni i nevojshëm për të legjitimuar procesin. Ne na rezulton që mos të jetë mbledhur Këshilli Kombëtar, pasi nuk mbështetet askund në legjislacion. Ne kemi dyshime të arsyeshme se kjo mbledhje nuk ekziston dhe jemi ne kushtet e falsifikimit të dokumenteve. Ne i kërkojmë dokumentacionin që pala e përfshirë në proces pretendon se ka organizuar dhe mbledhur Këshillin Kombëtar”, tha Sefa.

Lidhur me këtë kërkesë ka reaguar dhe përfaqësuesi ligjor i palës tjetër, Marash Logu. Sipas tij, në gjykatë është dorëzuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm dhe nuk ka më dokumentacion shtesë.

“Vazhdimi i lojës së turpshme të Bashës për ta mbajtur pezull dhe zvarritur statutin e PD. Përfaqësuesit e Bashës përdorin çdo lloj truku për ta shtyrë. Ajo që kemi thënë në këtë proces gjyqësor, pavarësisht çdo mjeti nuk ka gjykatë që mund të legjitimojë vendimmarrjet e Kuvendit të 2 shtatorit. Frika që kanë përfaqësuesit e Bashës i shtyn sot të bëjnë aktin e radhës të turpshëm dhe të paligjshëm për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit”, tha Logu.

“Kërkojnë gjëra që i kanë, janë manovra që ky proces të mos shkojë deri në fund dhe gjykata të mos dalë më vendimin që pritet të dalë, që është pezullimi procesit derisa të zgjidhet në gjykatë. Është e katërta herë që shtyhet, që është skandaloze. Ne si përfaqësues të Berishës kemi kërkuar pezullimin e këtij gjykimi, për sa kohë që nuk është zgjidh në themel, nuk mund të regjistrohen kërkesat e Bashës”, u shpreh ai.

Në këtë proces gjyqësor, Gjykata ka njohur tre palë të interesuara. Nga njëra anë është është përfaqësia ligjore e Lulzim Bashës që kërkon njohjen e statutit të 2 shtatorit dhe Bashën kryetar të Partisë Demokratike. Pala tjetër është Gazment Bardhi, që kërkon pezullimin e çështjes gjyqësore, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit Kombëtar të 28 korrikut, duke njohur Bardhin si Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Demokratike dhe pala e tretë është Sali Berisha, grupimi i “Rithemelimit”. Përfaqësuesit ligjor të Berishës kërkojnë pezullimin e çështjes për sa kohë në Gjykatën e Lartë është ende pa vendim një çështje ligjore për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërmbytjet në Itali, Veliaj: Të gatshëm të ndihmojmë në çdo rast nevoje
Artikulli tjetërJava e Kulturës Hungareze bën bashkë pikturën, shahun e muzikën