TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e vijoi në Vlorë fushatën e sensibilizimit për diagnostifikimin e kancerit të gjirit për gratë dhe vajzat, në kuadër të “Tetorit Rozë”.
Në aktivitetin e organizuar nga gratë e Këshillit Bashkiak, ministrja Kociu përcolli mesazhe ndërgjegjësuese dhe inkurajuese për ato nëna dhe gra që janë prekur nga kjo sëmundje.
Ajo njëkohësisht u bëri thirrje të gjitha atyre që nuk e kanë bërë një ekzaminim të gjirit, të kryejnë kontrollet e rregullta.
“Në aktivitetin e organizuar në Vlorë, me shumë dashuri nga gratë e Këshillit Bashkiak, për të përcjellë mesazhe ndërgjegjësuese dhe inkurajuese për ato nëna dhe gra që janë prekur nga kjo sëmundje, si dhe për t’u bërë thirrje të gjitha atyre që nuk e kanë bërë një ekzaminim të gjirit, të kryejnë kontrollet e rregullta”, u shpreh Koçiu.
Muaji tetor njihet ndryshe si “Tetori rozë”, muaj kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas.























