TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama priti në Tiranë ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.
Ish-kreu i qeverisë së Kosovës publikoi në rrjetet sociale foto nga takimi, teksa e cilësoi atë si një takim vëllazëror.
“Sot në Tiranë një takim vëllazëror me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për zhvillimet që po kalon Kosova, Shqipëria dhe rajoni dhe për proceset që na presin, veçanërisht për sfidat e Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, sigurinë dhe perspektivën e integrimeve euroatlantike”, bëri të ditur Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës theksoi se i ka kërkuar Kryeministrit Rama që të ndihmojë në nivel ndërkombëtar Kosovën për tejkalimin e sfidave.
“I kërkova kryeministrit shqiptar, që në të gjitha nivelet e bisedave me faktorin ndërkombëtar e kombëtar të ndihmojë në tejkalimin e sfidave që i ka Kosova dhe të përshpejtojë integrimin e saj. E falënderova përzemërsisht për kujdesin e tij dhe të Shqipërisë në këtë periudhë jo të lehtë që po kalon Kosova”, përfundoi Haradinaj.
/r.e/























