Ballina Bota

RUSI – Lavrov në Korenë e Veriut për bisedime

SEUL, 18 tetor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mbërriti sot në Korenë e Veriut për një vizitë dy ditore.

“Lavrov shoqërohej nga diplomatë rusë që do të punojnë në misionin rus në Phenian, si dhe një ekip ndërtimi që supozohet të rindërtojë ndërtesën e ambasadës”, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve.

Kremlini ka konfirmuar se Putini është ftuar në një vizitë shtetërore në Korenë e Veriut.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un vizitoi Rusinë në shtator.

Dy vendet fqinje së fundmi kanë intensifikuar ndjeshëm bashkëpunimin e tyre.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu gjithashtu vizitoi së fundmi Korenë e Veriut.

Sipas Moskës, kjo është vizita e katërt e Lavrov në Phenian pas udhëtimeve të mëparshme në 2004, 2009 dhe 2018.

Koreja e Veriut është kritikuar ndërkombëtarisht për furnizimin me armë për luftën e Putinit kundër Ukrainës.

“Pheniani ka dorëzuar më shumë se 1 000 kontejnerë me pajisje ushtarake dhe municione në Rusi”, tha të premten Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha dje se SHBA-ja nuk kishte dhënë asnjë provë për këtë.

Megjithatë, ai theksoi se Rusia dhe Koreja e Veriut kishin vendosur të zgjeronin bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe se askush nuk kishte të drejtë të ndërhynte në këtë.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdryshimet në buxhetin 2023, Balla: Mbështetje më e madhe për punonjësit e policisë
Artikulli tjetërFOKUS – Arabia Saudite dhe Irani diskutojnë përshkallëzimin e Gazës