KAJRO, 18 tetor /ATSH-DPA/ – Diplomatët e lartë të Iranit dhe Arabisë Saudite diskutuan sot përshkallëzimin e vazhdueshëm ushtarak në Rripin e Gazës, midis dy fuqive rajonale pas shumë vitesh përçarjeje.
Ministri i Jashtëm saudit Faisal bin Farhan u takua me homologun e tij iranian Hossein Amirabdollahian në portin e Detit të Kuq të Jeddah, gjatë një takimi urgjent të Organizatës 57-anëtare të Bashkëpunimit Islamik, një bllok i madh islamik.
“Gjatë bisedimeve, zyrtari saudit tha se vendi i tij po bënte përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e situatës midis Izraelit dhe palestinezëve”, sipas Ministrisë së Jashtme saudite.
“Ai theksoi qëndrimin e mbretërisë që refuzon shënjestrimin e civilëve në çfarëdolloj mënyre”, thuhet në një deklaratë.
Bombardimet izraelite në Rripin e Gazës ishin nje pergjigje ndaj sulmit të papritur shkatërrues më 7 tetor nga Gaza në Izrael, që shënjestronte komunitetet civile dhe një festival muzikor.
Izraeli ka vendosur gjithashtu një bllokadë të rreptë ndaj Gazës, një enklavë prej rreth 2,3 milionë banorësh.
“Riadi, si një mbështetës kryesor i palestinezëve, ka ndërprerë bisedimet për një normalizim të mundshëm të lidhjeve me Izraelin”, sipas burimeve diplomatike saudite.
“Monarkia e pasur me naftë ka pezulluar bisedimet me SHBA-në për të normalizuar lidhjet me Izraelin për shkak të sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës”, thanë burimet javën e kaluar.
Irani, ndërkohë, është një armik i betuar i Izraelit.
Në mars, Arabia Saudite dhe rivali i saj rajonal Irani, të cilët mbështetën palët kundërshtare në Jemen dhe Siri, ranë dakord në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kina, për të rivendosur lidhjet e tyre pas një këputjeje prej shtatë vitesh.//a.i/























