Ballina Aktualitet

Ushtarakë të FA-së pjesë e misionit të NATO-s në Irak

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e NATO-s në Irak (NMI).

Sipas vendimit, në operacionin e NATO-s në Bagdad dërgohen me mision 6 ushtarakë të Forcave të Armatosura.

Misioni i ushtarakëve është trajnimi i personelit të Kolegjit të Shtabit të Forcave të Armatosura në Bagdad, Irak, dhënia e kontributit në trajnimin e personelit në fushën e procesit të planëzimit operacional, procesin e vendimmarrjes ushtarake, trajnimin për sigurinë kibernetike, si dhe edukimin për dhënien e ndihmës së parë.

Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në 2 vjet. Periudha e qëndrimit në mision do të jetë 15 ditë, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për dorëzimin e detyrës dhe vonesat për transportin strategjik.

Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për: dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 lekë në ditë, përveç pagës mujore;  sigurimin e jetës; siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit; mbështetje shëndetësore; shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare; transportimin e individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline; çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit.

“Transportimi i personelit, që do të shërbejë në Irak, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transportimi i individëve të shkëputur nga misioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër të përballojë këto shpenzime”, thuhet në njoftim.

Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Izraeli bombardon universitetin e Gazës, vendi kyç për militantët e Hamasit
Artikulli tjetërRezoluta për Kosovën, Çollaku: Rithemelimi dhe PS, dakordësi për të mos thënë gjë