Ballina Aktualitet

MEPJ: Kthehen edhe 11 shqiptarë nga Izraeli


TIRANË, 10 tetor/ATSH/ 11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Izraeli për në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u shpreh se vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.

Një prej qytetareve të kthyera nga Izraeli u shpreh se jeton atje prej 29 vitesh, por situata e fundit është shumë e vështirë.

“Me ndihmën e madhe dhe punën e palodhur të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, me ndihmën e ambasadës shqiptare në Izrael, u bë i mundur udhëtimi drejt Shqipërisë”, u shpreh ajo.

“Jemi shumë të mërzitur e të stresuar. Na qan zemra për tragjedinë që ka ndodhur ditët e fundit. Po e lëmë Izraelin me një dhimbje shumë të madhe në zemër. Falënderojmë me zemër ambasadën shqiptare dhe Ministrinë e Jashtme që kanë ndjekur situatën dhe na kanë ndihmuar me çdo gjë”, u shpreh një tjetër shtetase.

“Kam kërkuar ndihmë nga ambasadat e tjera, por ambasada shqiptare në Izrael më ndihmoi shumë”, u shpreh një tjetër.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPAK, njësi të përbashkët hetimore​ me Prokurorinë e Kosovës
Artikulli tjetërPersonazhet migjeniane në veprën e “E kuqe e errët” në Teatrin Eksperimental