Ballina Flash

Personazhet migjeniane në veprën e “E kuqe e errët” në Teatrin Eksperimental

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell premierën e shfaqjes në stilin dance-theater, veprën “E kuqe e errët”. Shfaqja është një kërkim artistik në zhanrin e dans – teatrit frymëzuar nga novela e famshme e Migjenit “Historia e njenës nga ato”. Vepra vjen në regjinë e Mariel Brahimllarit dhe është një produksion i Fondit të Teatrit për të Rinj 2023, i mbështetur nga Ministria e Kulturës.

“E kuqe e errët” frymëzuar nga personazhi Luke i Migjenit, përcjell mesazhin se sot si Lukja ka shumë dhe të gjitha po ndjekin rrugën e saj për të arritur aty ku duan.

Luke-izimi i femrës moderne shqiptare ka sjellë fenomenin e përdorjes së trupit për të arritur çdo qëllim të dëshiruar: një vend pune, jetën luksoze, famën e shpejtë apo pasurimin.

Ky kërkim synon të sjellë në vëmendjen e publikut jo vetëm prostitucionin në kuptimin klasik të fjalës, në atë të shkëmbimit të trupit për para, por në çdo formë tjetër të tij, kur favori seksual shkurton rrugën drejt karrierës apo pasurisë.

“Me siguri do njihni ndonjenën nga motrat legjitime të Lukes, asht njësoj si me njoftë Luken vetë. Jeta e tyne asht një. Të gjitha janë njësoj dhe të gjitha ju japin atë që kërkoni, me pare në dorë. (Migjeni)”, thuhet në materialin rreth shfaqjes premierë, e cila do të vijë në ArTurbina.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMEPJ: Kthehen edhe 11 shqiptarë nga Izraeli
Artikulli tjetërFOKUS – Gaza drejt një krize humanitare