Ballina Aktualitet

Basha: Ekonomia jonë duhet të bëhet konkurruese

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vijim të turit të tij të takimeve, është ndalur paraditen e sotme në njësinë administrative nr. 8 në Tiranë, në lagjen e tij të vjetër. Pas kafes se mëngjesit me dashamirës dhe simpatizantë të lagjes, Basha ka zhvilluar biseda të shumta me qytetarë, tregtarë dhe sipërmarrës të kësaj zone, me të cilët ka diskutuar mbi gjendjen ekonomike dhe politike të vendit.

Basha shkroi në rrjetet sociale se është interesuar të dëgjojë prej tyre për hallet dhe problemet me të cilat njerëzit përballen përditë, larg politikës së kotë të zhurmës dhe të përbaltjes, me qëllim që të gjejë format dhe mënyrat për të forcuar rolin e qytetarëve në vendimmarrje dhe për ta vendosur politikën në shërbim të njerëzve.

“Çdo ditë pranë njerëzve, për t’i dëgjuar ata nga afër, për ta vënë politikën në shërbim të tyre. Qytetarët, tregtarët, sipërmarrësit në zemër të Tiranës, më thonë atë që çdo shqiptar di dhe ndjen në xhepin e tij, se ekonomia është e kapur nga interesat e një grupi te ngushtë, dhe se ajo fatkeqësisht nuk iu ofron atyre mundësitë që meritojnë”, u shpreh Basha.

“Ekonomia jonë duhet të hapet dhe të bëhet konkurruese. Në funksion të saj është edhe hapja e garës në sistemin politik përmes propozimeve tona për Reformën Zgjedhore. Një parlament përfaqësues i vullnetit të qytetarëve dhe një qeveri e vogël në shërbim të tyre janë kushte të domosdoshme për të vendosur interesat e qytetarëve në qendër të politikëbërjes, duke u dhënë atyre te gjitha mundësitë për të ndërtuar të ardhmen me të mirë për familjet e tyre”, përfundoi Basha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakXhixho: Trefishim i bonusit të bebes, vendi në “dimër” demografik
Artikulli tjetërReforma në Drejtësi dhe antikorrupsioni, Manja takim me bashkëreporterët e KiE