TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Gjatë orëve të para të mëngjesit të së martës, në qarkun e Vlorës reshjet e shiut kanë qenë me intensitet, por falë angazhimit të strukturave të mbrojtjes civile, nuk ka patur asnjë problematikë.
Prefekti i Qarkut të Vlorës, Flamur Memaj, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare bëri me dije se reshjet e shiut, siç edhe ishin parashikuar, janë shfaqur me intensitet të lartë në orët e para të mëngjesit, por pa shkaktuar problematika.
“Ka patur vërshime në disa rrugë të qytetit të Vlorës, por falë angazhimit të strukturave të mbrojtjes civile në prefekturë dhe Bashki s’ka patur problematika”, tha Memaj.
Sipas tij, “shërbimet e ndërmarrjes së shërbimeve publike dhe ujësjellës kanalizimeve kanë qenë për gjatë gjithë orëve të shiut dhe sot paradite për t’u përballuar situatën. Prefektura ka komunikuar me të gjitha bashkitë ditën e djeshme, duke i informuar për situatën që pritej, u bë lajmërimi i popullatës dhe i gjithë Komisioni i mbrojtjes civile në qark ju dhanë detyrat sipas funksioneve, që kanë për përballimin e çdo të papriture që mund të shkaktonte reshjet me intensitet të lartë”, tha Memaj.
Sipas tij, çdo gjë ka kaluar sipas parashikimeve dhe masave të marra. “Situata është e qetë në të gjithë Qarkun”, përfundoi Memaj.























