TIRANË, 25 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot një ndryshim rrënjësor të sistemit të prokurimeve publike në Shqipëri.
Gjatë një konference për shtyp, Rama tha se prokurimet publike do të hyjnë në një fazë tjetër në bashkëpunim me organizimin e Kombeve të Bashkuara që merret me prokurimet publike.
“Edhe për prokurimet publike kemi filluar punën për vënien në shfrytëzim të potencialit të inteligjencës artificiale, por kjo do të kërkojë rreth 1 vit. Sistemi i prokurimeve do të ketë ndryshim të rëndësishëm, duke filluar nga ndryshimi i sistemit të blerjeve të përqendruara dhe pastaj me radhë në të gjitha hallkat e sistemit të prokurimit”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te ndryshimet në sistemin e Kadastrës ku sipas tij, nuk ka më sportele dhe dyer që hyjnë e dalin njerëz që kërkojnë të ndërhyjnë.
“Njerëz që jetonin me marifete mes nevojës së një qytetari, sporteleve e atyre mbrapa skenës, noterëve e me radhë”, tha Rama.























