TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Policia e Vlorës ka arrestuar katër shtetas për shkelje të qarkullimit rrugor dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.
Përmes një njoftimi për mediat, Policia e Vlorës bënë të ditur se “specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit: R. H., 50 vjeç, banues në Mamurras, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur; M. L., 31 vjeç, banues në Itali, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur; K. P., 21 vjeç, banues në fshatin Nartë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, i pa pajisur me leje drejtimi”.
“Po këta specialistë shpallën në kërkim shtetasin R. B., 20 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi është larguar nga vendi i aksidentit, në aksin rrugor “Vlorë-Kuç”, ku ky shtetas ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka shkaktuar dëme material”, njofton Policia e Vlorës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan shtetasin K. H., 43 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit në ambientet e Komisariatit, për sqarimin e rrethanave të një konflikti ndërmjet këtij shtetasi dhe familjarëve të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme”, sqaron Policia.
/r.e/













