Ballina Bota

MOSKE – Putin pret integrimin e paktit AUKUS në NATO

MOSKE, 15 gusht /ATSH-AA/ – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se nuk përjashton mundësinë e integrimit të grupimit AUKUS në aleancën ushtarake të NATO-s për dominimin perëndimor në rajonin e Azi-Paqësorit.

Duke iu drejtuar Konferencës së 11-të të Sigurisë Ndërkombëtare të Moskës përmes video-lidhjes, Putin tha se vendet perëndimore janë kundër formimit të një bote shumëpolare përmes konflikteve të vjetra, apo duke provokuar konflikte të reja për të parandaluar daljen e qendrave të reja të pushtetit.

“Qëllimi i atyre që e bëjnë këtë është i qartë: të vazhdojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore, të nxisin popujt kundër njëri-tjetrit, të detyrojnë shtetet në bindje vasale brenda kornizës së sistemit neokolonial dhe të shfrytëzojnë pa mëshirë burimet e tyre”, tha ai.

Anëtarët e NATO-s vazhdojnë të zhvillojnë potencial të ri sulmues, ndërkohë që shkatërrojnë sistemin ekzistues të kontrollit të armëve, zgjerojnë zonën e konfrontimit, e zhvendosin atë në hapësirën dhe fushën digjitale dhe përdorin mjete ushtarake dhe joushtarake të presionit, deklaroi Putin.

Ai argumentoi se SHBA-ja kërkon të reformojë sistemin e ndërveprimit ndërshtetëror që është zhvilluar në rajonin Azi-Paqësor për të zgjeruar kontrollin e saj mbi rajonin.

“Promovimi i të ashtuquajturave strategji Indo-Paqësore synon krijimin e shoqatave ushtarako-politike të kontrolluara nga Washingtoni. Nuk përjashtojmë që ato të çojnë në integrimin e plotë të forcave të NATO-s me strukturat e bllokut AUKUS që po krijohen”, tha ndër të tjera ai.  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPresidenca “kalon në heshtje” ligjin për kanabisin mjekësor dhe studentët e mjekësisë
Artikulli tjetërUASHINGTON – SHBA dërgon përforcime në bazat e saj në Siri